Si manifetohet infeksioni?

Infeksionet vulvo-vaginale mykotike në shtatzëni

Si manifetohet infeksioni?

Simptomat tipike të kandidozës vulvo-vaginale janë:

1.kruarje dhe djegie intensive rreth vaginës, vulvës, perineumit dhe ndonjëherë anusit

2.shtim i sekrecioneve vaginale, të dëndura, kremoze me ngjyrë të bardhë në të verdhë, shpesh të ngjashme me qumëshin e prishur pa erë

3.fryrje në zonën e vulvës

4.dhimbje gjatë urinimit apo marrëdhënie seksuale.

Çfarë mjekimi mund të rekomandohet për të trajtuar kandidozën?

Trajtimi i kandidozës/mykut vaginal bëhet me antimykotikë. Duhet theksuar se terapitë lokale me antimykotikë, mund të përdoren edhe në tremujorin e parë të shtatzënisë pasi nuk ka efekte anësore. Preparatet antimykotike nga goja, nuk janë të rekomanduar të përdoren gjatë kësaj periudhe

Cilat janë disa rekomandime, për të shmangur kandidozën vulvo-vaginale gjatë shtatzënisë?

1. Mos përdorimi i veshjeve të ngushta dhe sintetike që nuk e lejojnë ajrosjen e trupit.
2. Evitimi i përdorimit të getave kur përdoren pantallona.
3. Evitimi i përdorimit të tangave.
4. Duhen përdorur vetëm veshje të brëndshme prej pambuku.
5. Veshjet e brëndshme duhet të shplahen shumë mirë me ujë të bollshëm pas larjes në lavatriçe.
6. Në rastet e hemoragjive, të përdoren linesa të tregtuara vetëm në farmaci.
7. Të bëhet në mënyrë korrekte larja e zonës vulvare (psh, gjatë larjes së zonës gjenitale dhe anusit, dora të kaloj nga gjenitalet në drejtim të anusit dhe jo e kundërta).
8. Për higjenë intime, rekomandohet përdorimi i sapunëve vetëm dy herë në ditë. Larjet e tjera të bëhen vetëm me ujë të pastër dhe të bollshëm.
9. Të mbahet sa më thatë zona gjenitale.
10. Pas banjos në det ose pishinë, kostumi i banjos duhet të ndrohet për të mbajtur sa më të thata organet gjenitale.

Cilat janë rreziqet për fëmijën gjatë shtatzënisë?

Prania e kandidozës paraqet një rrezik shumë të lehtë për lindje parakohe. Gjatë shtatzënisë nuk paraqiten probleme te bebi, përveç raste kur kandidozat janë mjaft të rënda.
Fëmija mund të infektohet kur kalon në rrugët e lindjes. Nëse infektohet, ndodh që ti dalin në gojë njolla të bardhë të ngjashme me pikat e qumështit. Në këto raste, duhet një ndërhyrje e shpejtë mjeksore, por trajtimi është mjaft i thjeshtë dhe aspak problematik.